Ndërkohë, një pjesë e opinionit publik në fqinjin tonë verior, Serbinë, besojnë se Uashingtoni mund të rrisë presionin, për formalizimin e një forme të njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Njohësit e zhvillimeve politike atje, theksojnë se marrëveshjet kyçe tashmë janë zbatuar, duke vlerësuar se pushteti aktual në Serbi, i cili ka balancuar herë pas here raportet me Bashkimin Evropian, nuk duhet të refuzojë një ofertë të mundshme që mund t`i vijë nga SHBA-ja.
Dy anëtare të Kongresit, Klaudia Teni dhe Krisi Hulahan, i kërkuan presidentit amerikan Donald Trump të ndërmjetësojë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me qëllim njohjen e ndërsjellë.
Në Serbi, reagime ka nxitur fakti që Teni është bashkëkryetare e grupit për çështje serbe në Kongres, ndaj forcat nacionaliste kërkojnë që MPJ të sqarojë qëndrimin zyrtar. Sipas politikanit dhe juristit Aleksandër Olenik, një ofertë nga SHBA, kur të vijë, do të jetë politikisht e pashmangshme.
Analistët vlerësojnë se ndërmjetësimi amerikan mund të hapë fazën e presionit për formalizimin e realitetit ekzistues dhe se SHBA do të insistojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Uashingtonit.

