Ne si këshilltarë të Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë e dënojmë ashpër gjuhën antishqiptare dhe thirrjet raciste që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Në vend që ky aktivitet sportiv të shërbente për bashkim dhe frymë pozitive, ai u shndërrua në një skenë të hapur të urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve, në prani të krerëve më të lartë shtetëror.
Thirrje si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër” janë të papranueshme, të neveritshme dhe thellësisht të rrezikshme. Ato rikthejnë në kujtesë periudha të errëta të historisë dhe nuk kanë vend në një shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është heshtja e plotë e institucioneve nga Federata e Basketbollit, MPB-së,Komuna e Kumanovës deri te vetë Qeveria. Mosreagimi i tyre nuk është thjesht neglizhencë, por një formë e miratimit të heshtur që nxit përçarje, tensione ndëretnike dhe cenon rendin demokratik të shoqërisë.
Maqedonia e Veriut nuk mund të udhëhiqet me ideologji të rrezikshme që prodhojnë frikë, përjashtim dhe ndarje etnike. Dinjiteti i shqiptarëve nuk është i negociueshëm dhe nuk do të heshtim përballë gjuhës së urrejtjes, cilido qoftë pozicioni i atyre që e tolerojnë apo e nxisin atë.
Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë

