Lidhur me shkeljen e Nenit 356 dhe trajtimin selektiv të qytetarëve nga Ndërmarrja e Parkimit ![]()
Ne si këshilltarë të BDI-së në Kumanovë shpreh shqetësim të thellë lidhur me zbatimin selektiv dhe të padrejtë të Nenit 356 të Ligjit për Sigurinë në Komunikacion, nga ana e Ndërmarrjes Publike për Parkim dhe strukturave përgjegjëse në komunën tonë.

Edhe pse më shumë se pesë herë e kemi paralajmëruar drejtorin e ndërmarrjes për këtë problematikë, praktika e tërheqjes së automjeteve që nuk paraqesin rrezik për komunikacionin dhe nuk e bllokojnë rrjedhën normale të trafikut, vazhdon në mënyrë të papërgjegjshme.
Sipas Nenit 356, automjeti mund të largohet vetëm nëse ndodhet në vend që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për pjesëmarrësit në komunikacion, pengon qarkullimin, ose është i parkuar mbi sipërfaqe të gjelbra apo në parqe.
Megjithatë, në praktikë, shumë qytetarë po dënohen dhe u tërhiqen veturat, ndonëse kanë ndaluar përkohësisht për arsye të kuptueshme – si blerje të shpejta, barna apo nevoja të tjera bazike – në një qytet me mungesë të theksuar të hapësirave për parkim.

Kemi propozuar zgjidhje konkrete, përfshirë tolerancën deri në 10 minuta për ndalesat e shkurtra, por kërkesat tona vazhdojnë të injorohen. Kjo është jo vetëm padrejtësi ndaj qytetarëve, por edhe një shkelje e drejtëpërdrejtë e ligjit dhe shprehje e mungesës së vullnetit për zgjidhje praktike dhe njerëzore.
Ne si grup këshilltarësh ritheksojmë qëllimin tonë për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe kërkojmë që organet kompetente të ndërmarrin masa urgjente për të ndalur këtë praktikë selektive dhe abuzive, si dhe të sigurojnë respektimin e plotë të ligjit. Grupi i Këshilltarëve të BDI-së Komuna e Kumanovës /Televizioni News


