Ish-sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, ka folur me dashuri për klubin ku shkëlqeu, duke komentuar edhe rikthimin e Massimiliano Allegrit në pankinën kuqezi.
“Të shohësh Allegrin sërish te Milani më rikthen kujtimet e bukura të titullit që fituam së bashku. Kishim një skuadër me kampionë si Ibrahimovic, Thiago Silva, Gattuso, Pirlo, Seedorf, Nesta… Ishim një grup i jashtëzakonshëm dhe e kthyem Milanin në majë. Shpresoj që këtë ta arrijnë edhe lojtarët aktualë.”
Sipas brazilianit, objektivi kryesor duhet të jetë kualifikimi në Champions League, ndërsa Allegri e konsideron si një nga trajnerët më të mirë në qarkullim: “Ai është një garanci, ka mbetur po ai si 15 vite më parë dhe di si të fitojë dashurinë e grupit.”

