Të nderuar qytetarë,
Në cilësinë tonë si këshilltarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, ndjejmë obligim moral dhe politik që të ndajmë me ju disa fakte të rëndësishme për gjendjen reale të ndërmarrjeve publike në komunën tonë gjatë viteve të fundit.
Nga analiza e raporteve zyrtare tremujore dhe vjetore për periudhën 2021–2025, është më se e qartë se shumica e ndërmarrjeve publike janë futur në një krizë të thellë menaxhimi. Pavarësisht ndihmave të shumta që komuna ka ofruar për katër vite radhazi – përmes subvencioneve dhe mbështetjes financiare – rezultatet janë katastrofale.
-Ndërmarrja “Tregu i Gjelbër” ka regjistruar humbje prej 3.000,000 denarësh.
-Ndërmarrja “Ujësjellësi” ndodhet në një gjendje katastrofale, me borxhe dhe probleme teknike të pamenaxhuara.
-Ndërmarrja “Parkimi” ka pësuar humbje prej 1,000,000 denarësh, duke u shndërruar nga një institucion fitimprurës në një barrë për buxhetin.
-Ndërmarrja “Pastrimi dhe Gjelbërimi” është bllokuar nga përmbaruesit dhe gjendet në kolaps të plotë organizativ.
Të gjitha këto janë pasojë e drejtpërdrejtë e një keqmenaxhimi të vazhdueshëm, mungesës së ideve, mungesës së transparencës dhe paaftësisë profesionale të drejtuesve aktualë. Ironikisht, janë pikërisht këta drejtues që sot dalin me kritika ndaj të tjerëve, duke harruar që vetë kanë qenë përgjegjës për këtë gjendje alarmante.
Kryetari aktual i komunës, Maksim Dimitrievski, ka dalë me akuza dhe shpifje të pabaza ndaj disa ish-drejtorëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke i akuzuar për keqpërdorime gjatë mandatit të tyre. Por realiteti është krejtësisht ndryshe: që katër vite me radhë, ndërmarrjet publike po thellohen në borxhe dhe ndodhen në prag të falimentimit. Në vend që të ballafaqohen me përgjegjësinë për këtë situatë, tentojnë të shpërqendrojnë vëmendjen përmes akuzave politike.
Ne si këshilltarë të BDI-së jemi krenarë për ish-funksionarët tanë, të cilët dikur kanë drejtuar ndërmarrjet publike me sukses, pa ndihmë financiare nga komuna. Ata kanë ditur të gjejnë zgjidhje kreative, të ndërtojnë mekanizma vetëfinancimi dhe të realizojnë investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe shërbime për qytetarët.
Në atë periudhë, ndërmarrjet nuk ishin në borxhe, nuk ishin të bllokuara, dhe mbi të gjitha – nuk ishin të përdorura për interesa personale apo politike. Sot, për fat të keq, po ndodh pikërisht e kundërta.
Prandaj, ne shprehim përkrahje të plotë për ish-funksionarët e BDI-së, të cilët me punën e tyre kanë dëshmuar se mund të menaxhohet me përgjegjësi, ndershmëri dhe vizion – edhe pa mbështetje shtesë.
U bëjmë thirrje qytetarëve të mos bien pre e manipulimeve dhe kritikave boshe. Kujtoni të kaluarën, shikoni të tashmen dhe pyesni veten: Kush punoi me vepra, e kush me fjalë.

