Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas gjetjes dhe identifikimit të 11 personave të zhdukur gjatë luftës, të cilët u zbuluan në një varrezë masive në Bishtazhin.
Në një postim në Facebook, Kurti kujton ngjarjet tragjike të 2 prillit 1999, kur forcat serbe grumbulluan me dhunë qindra burra dhe djem shqiptarë në Kralan, ku u mbajtën nën tortura për dy ditë.
Më 4 prill, nga ky grup u ndaluan 86 persona, mes tyre 11 të mitur, të cilët nuk u panë më të gjallë.
“Pas 26 pranverash në pritje e ankth të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive në Bishtazhin. Pas masakrës në Kralan, forcat shtetërore të Serbisë i kishin rrëmbyer dhe groposur në varreza masive, në përpjekje që t’i zhduknin bashkë me dëshmitë e krimeve”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se disa nga viktimat ishin gjetur më herët në liqenin Peruqac në Serbi, ndërsa Serbia kishte rrëmbyer kufomat pas zhvarrosjes nga Bishtazhini.
Të identifikuarit pas 26 vitesh janë: Adem Gashi, Sahit Gashi, Bekim Hasani, Sheremet Ismajli, Mentor Myrtaj, Osman Fejza, Shkelzen Hajdaraj, Bekim Gashi, Sabedin Kryeziu, Mentor Kryeziu dhe Vehbi Halilaj.
“Plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar mes tjerash Kurti.

