Gjykata Speciale në Hagë nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me mundësinë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të vijë në Kosovë pas vdekjes së babait të tij.
Në një përgjigje për Dukagjinin, Specialja ka thënë se të paraburgosurit mund të bëjnë kërkesa për arsye humanitare, ndërsa vendimi mbetet në dorën e gjykatësve.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të ndaluar të bëjnë kërkesa te gjyqtarët kompetentë për arsye të forta humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për këto kërkesa. Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtresat e Mbrojtjes dhe vendimet e Gjyqtarëve, publikohen në uebfaqen e DSK-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion shtesë mbi këtë çështje të jetë i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në uebfaqen e DSK-së”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Babai i Hashim Thaçit ndërroi jetë të dielën, vetëm dy ditë pasi u vizitua nga i biri, i cili pas disa refuzimesh arriti të vijë në Kosovë me lejen e Speciales.
Në raste të ngjashme, deri më tani, Gjykata Speciale nuk kishte lejuar asnjë të akuzuar që të merrte pjesë në ceremonitë mortore të familjarëve.

