Një sulm hakerash mbi disa qendra të ruajtjes së gjakut në Francë u ndalua përpara se të shkaktonte dëme materiale ose të rrezikonte jetët e pacientëve, konfirmuan autoritetet zyrtare franceze.
Kriminelët kibernetikë u përpoqën të rrisnin temperaturën në dhomat e ftohjes për të shkatërruar rezervat e çmuara të plazmës së gjakut të destinuara për transfuzion dhe prodhimin e barnave jetike, raportoi Euronews.
Hakerët nuk depërtuan drejtpërdrejt në sistemet e shëndetësisë, por në infrastrukturën e furnizuesit të jashtëm të pajisjeve të ftohjes. Megjithatë, alarmet automatike dhe reagimi i shpejtë i personelit të gatshëm parandaluan katastrofën — të gjitha preparatet u zhvendosën në vend të sigurt.
Institucioni francez i gjakut (EFS) precizoi se synimi ishin dhomat me qese plazme të përgatitura për transfuzione urgjente, si dhe rezervat që përdoren në industrinë farmaceutike për prodhimin e barnave nga derivatet e gjakut.
“Sistemet e mbikëqyrjes dhe alarmimit automatik zbuluan shpejt parregullsitë në cilësimet e temperaturës. Falë kësaj, personeli mjekësor reagoi në kohë rekord dhe siguroi që preparatet e gjakut dhe mostrat të mbeten të sigurta. Nuk u vunë re asnjë pasojë shëndetësore dhe asnjë preparat nuk u humb”, thuhet në njoftimin zyrtar të EFS.
Autoritetet theksuan se procesi i grumbullimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së gjakut në spitalet franceze vazhdon pa ndërprerje.
**Vazhdim i valës së sulmeve ndaj sistemeve të ftohjes në Evropë**
Ky incident erdhi pas një serie sulmesh kibernetike të ngjashme dhe të koordinuara që goditën zinxhirët tregtarë europianë.
Gjatë muajit tetor u vunë re hyrje në sistemet e ftohjes të qindra marketeve në Francë dhe në pjesën tjetër të Evropës. Hakerët edhe në ato raste ngritën temperaturën në ngrirësit dhe frigoriferët industrialë, çka çoi në prishjen e sasisë së madhe të ushqimit dhe dëme materiale multimilionëshe.
Hetim të gjerë për sulmin e fundit ndaj infrastrukturës shëndetësore kanë nisur Agjencia Kombëtare Franceze për Siguri Kibernetike (ANSSI) dhe Ministria e Shëndetësisë, me qëllim identifikimin e identitetit dhe motiveve të sulmuesve.

