Gazetari Vudi Xhymshiti ka publikuar një reagim të drejtpërdrejtë ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke ngritur shqetësime për fyerjet dhe mesazhet që thotë se ka marrë pas publikimit të pyetjeve lidhur me veprimtarinë e tij.
Në reagimin e tij, Xhymshiti përmend Xheti Xhambazin për të cilin pretendon se e ka fyer pas publikimit të pyetjeve nga redaksia.
Gazetari thekson se nuk pretendon që personat që i kanë dërguar mesazhet veprojnë me urdhër të Ahmetit, por kërkon përgjigje nëse kjo klimë është e lidhur me mënyrën se si trajtohen gazetarët që kërkojnë llogaridhënie nga figura publike.
Sipas Xhymshitit, redaksia “Kronikat e Barutit” ka dokumentuar edhe mesazhe të tjera, të cilat thotë se i ka raportuar te autoritetet britanike, duke i cilësuar si përpjekje për ngacmim dhe frikësim.
Gazetari paralajmëron se po shqyrton veprimtarinë dhe lidhjet e Ali Ahmetit, ndërsa publikimi i gjetjeve, sipas tij, do të bëhet pasi ato të verifikohen dhe të mbështeten me dokumente e prova.
“Fyerjet nuk janë përgjigje. Heshtja nuk është pafajësi. Dhe fotografitë me komandantin nuk janë argument kundër gazetarit”, thuhet në reagimin e Xhymshitit.
Ai shton se do të vazhdojë hulumtimin dhe se as fyerjet, as presioni publik nuk do ta ndryshojnë punën e tij prej gazetari.
Në fund të reagimit, Xhymshiti i referohet deklaratës së Ali Ahmetit se nuk ka vepruar pas shpinës së shqiptarëve, duke theksuar se pyetjet gazetareske synojnë të sqarojnë veprimtarinë e tij, bashkëpunëtorët, mbështetësit dhe çështjet që, sipas tij, “kërkojnë transparencë publike”.

