Tregu i turizmit nga jashtë në Kinë po përjeton një rritje të fortë gjatë pushimeve të Ditës Kombëtare 2026.
Pikat e kalimit kufitar në Kinë vlerësohet që kanë përballuar mesatarisht rreth 2.15 milionë udhëtime pasagjerësh në ditë gjatë pushimeve shtatëditore nga 1 deri më 7 tetor, sipas Administratës Kombëtare të Imigracionit.
Të dhënat nga agjencia kineze e udhëtimeve e internetit “Trip.com” treguan se numri i turistëve të huaj në Kinë gjatë pushimeve shënoi rritje dyshifrore në bazë vjetore për herë të parë.
Prirjet e reja po shfaqen në tregun e turizmit nga jashtë në Kinë, ndërsa vizitorët e huaj po zhvendosen nga shikimi tradicional i peizazheve dhe po zhyten gjithnjë e më shumë në jetën, kulturën dhe përvojat vendore.
Rezervimet për udhëtime njëditore hyrëse në Kinë u shtuan mbi katërfish krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar, ndërsa rezervimet e biletave për pika turistike u rritën mbi 220 %. Vendet kulturore përbënin rreth 43 % të rezervimeve për pika turistike të vizitorëve të huaj gjatë pushimeve njëjavore, nga rreth 32% në vitin 2024.
Fotografimet në stilin tradicional kinez janë bërë gjithashtu një burim i ri shpenzimesh turistike të vizitorëve të huaj. Në Kopshtin “Yu” të Shangait, një destinacion i njohur për turistët e huaj, ata vishen me kostumet tradicionale kineze hanfu dhe bëjnë foto të stilit të lashtë në sfondin e strehave të ngritura dhe pavijoneve tradicionale, duke përqafuar një mënyrë të re për të përjetuar estetikën lindore.
Shfaqjet kulturore po u ofrojnë vizitorëve të huaj mënyra të reja për të përjetuar dhe kuptuar Kinën. Në Zhangjiajie të provincës Hunan të Kinës Qendrore, shfaqje si “Xiangxi Magjepsës” ndërthurin trashëgiminë kulturore jomateriale me peizazhet e vërteta malore dhe ujore, ndriçimin modern dhe titrat shumëgjuhëshe. Sivjet deri në fund të shtatorit, teatri “Xiangxi Magjepsës” kishte mirëpritur më shumë se 140 000 vizitorë të huaj.
Në Shenzhen të provincës Guangdong të Kinës Jugore, tregu elektronik “Huaqiangbei” është shfaqur si një destinacion i njohur për blerje teknologjie për vizitorët nga jashtë vendit, të cilët magjepsen nga syzet e përkthimit me AI, orët inteligjente, robotët humanoidë, altoparlantët portativë me AI dhe kamerat panoramike.
Rritja e numrit të turistëve të huaj u nxit nga zgjerimi i politikës së heqjes së vizave të Kinës.
Gjatë Festës së Mesvjeshtës të këtij viti, nga 25 deri më 27 shtator, shtetasit e huaj bënë 728 000 kalime kufitare, me një rritje prej 37.7 % krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Ndër vizitorët e huaj, gjithsej 247 000 hynë pa viza, 32.7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare e Imigracionit e Kinës.
Rritja e udhëtimeve hyrëse nxitet nga risitë e vazhdueshme në ofertat turistike, përvojat dhe mënyrat e konsumit të Kinës, duke u dhënë vizitorëve të huaj më shumë mundësi për t’u angazhuar me kulturën vendore dhe jetën e përditshme, tha Li Xinjian, dekan ekzekutiv i Institutit të Kërkimeve për Kulturën e Kryeqytetit dhe Zhvillimin e Turizmit në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit.
Li shtoi se Kina po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion ku udhëtarët jo vetëm mund të shohin pamjet, por edhe të zhyten në përjetimin e përvojës.

