Një kamion që në pamje të parë transportonte profile hekuri drejt Greqisë, në fakt fshihte një ngarkesë tjetër – 79 kilogramë marihuanë, e cila dyshohet se kishte destinacion tregun turk.
Kamioni, i drejtuar nga një shtetas i Bosnjë e Hercegovinës, hyri në Maqedoninë e Veriut i ngarkuar me profile hekuri. Sipas hetimit të Doganës, gjatë rrugës, pas një marrëveshjeje paraprake me persona nga vendi, në një lokacion të paracaktuar në kamion është ngarkuar edhe marihuana.
Më pas, kamioni është mbyllur me një vulë doganore që shoferi e kishte me vete dhe ka vazhduar rrugën drejt Greqisë.
Por plani nuk përfundoi siç ishte parashikuar.
Në pikën kufitare Dojran, në dalje nga vendi, kamioni u ndalua nga ekipet mobile të Doganës. Gjatë kontrollit u zbulua dhe u sekuestrua droga.
Shoferi u arrestua, ndërsa më pas hetimi u zgjerua për të zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në organizimin e transportit.
Nga hetimi janë arrestuar gjithsej pesë persona, ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe trafikim të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
Nga Dogana thonë se aksioni nisi pas një informacioni të inteligjencës dhe u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
“Me këtë aksion, Administrata Doganore edhe një herë konfirmon se me veprime të fuqishme të inteligjencës dhe operative, si dhe me hetime të plota, e lufton sistematikisht kriminalitetin”, thuhet në kumtesën e Doganës.

