Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë, përmes Njësisë për Parandalim, në bashkëpunim me Stacionin Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor dhe Këshillin Komunal për Parandalim, realizoi një aktivitet parandalues në komunikacion me moton “Nëse vozit, mos pi”.
Aksioni kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes tek drejtuesit e automjeteve për rreziqet nga drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit, por edhe për respektimin e rregullave të komunikacionit, veçanërisht kufizimeve të shpejtësisë.
Në kuadër të aktivitetit u përfshinë edhe shoferët fillestarë, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të cilët, me mosrespektimin e rregullave dhe drejtimin e papërgjegjshëm të automjeteve, mund të rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Gjatë aksionit u përdorën edhe të ashtuquajturat “syze të dehjes”, përmes të cilave pjesëmarrësve iu demonstrua se si duket gjendja e një personi nën ndikimin e alkoolit.
Syzet simulojnë shikimin e turbullt, përqendrimin e zvogëluar dhe pamundësinë për të vlerësuar saktë distancën, gjendje këto që mund të ndikojnë seriozisht në aftësinë për drejtimin e sigurt të automjetit.
Shefja e Njësisë për Parandalim, mr. Lile Mlladenovska, u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që t’i respektojnë në mënyrë rigoroze detyrimet ligjore dhe të mos drejtojnë automjetin nëse kanë konsumuar alkool.
“Apeloj te të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen në mënyrë rigoroze detyrimeve ligjore, të mos konsumojnë alkool dhe të drejtojnë automjetin, si dhe të kenë kujdes nga drejtimi i pakujdesshëm i automjetit, përkatësisht tejkalimi i shpejtësisë së lejuar sipas sinjalizimit rrugor. Shoferët fillestarë nuk duhet të drejtojnë automjet pa shoqërim nga ora 23:00 deri në 05:00. Në të kundërtën, secili do të mbajë përgjegjësi në përputhje me Kodin Penal dhe Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor”, deklaroi Mlladenovska.
Ajo theksoi se për drejtuesit që me sjelljen e tyre rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe shkaktojnë aksidente me pasoja të rënda, përfshirë edhe humbjen e jetëve, nuk do të ketë tolerancë.


