Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ndryshuar pjesërisht kufizimet për vizitat ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke hequr ndalesën për disa persona, ndërsa për katër të tjerë ajo mbetet në fuqi.
Sipas vendimit, gjykatësi ka urdhëruar që me efekt të menjëhershëm të hiqet ndalesa për vizitat jo të privilegjuara ndaj Thaçit nga gjashtë persona, në mesin e të cilëve janë Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi dhe Avni Kastrati. Emrat e tre personave të tjerë janë të redaktuar në versionin publik të dokumentit, shkruan Insajderi.
Megjithatë, gjykatësi ka vendosur që këto vizita të monitorohen aktivisht.
Në vendim thuhet se kjo masë është e nevojshme për shkak të “pranimit të mëparshëm të informacioneve konfidenciale nga këta persona prej Thaçit”.
Gjykatësi urdhëroi që gjatë këtyre vizitave të raportohet çdo rast i tentimit për komunikimin e informacioneve konfidenciale, dhënien e udhëzimeve lidhur me dëshmitarët apo çdo shkelje tjetër të rregullave të objektit të paraburgimit.
Në anën tjetër, ndalesa për vizitat jo të privilegjuara vazhdon për Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën dhe Vllaznim Kryeziun.
“Vizitat e z. Behrami, z. Shala, z. Syla dhe z. Kryeziu ndaj z. Thaçi duhet të vazhdojnë të jenë të ndaluara”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, gjykatësi ka vlerësuar se një pjesë e rrezikut që kishte çuar në vendosjen e kufizimeve është zvogëluar. Sipas vendimit, të gjithë dëshmitarët e çështjes janë identifikuar dhe janë dëgjuar.
“Progresi i procedurave ka eliminuar çdo mundësi që udhëzimet për dëshmitarët t’u komunikohen ndonjërit prej dëshmitarëve të mbrojtjes”, thuhet në vendim. /Insajderi.org/

