Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit në New York, ka kujtuar sulmin terrorist në Banjskë, nga i cili nesër bëhen tre vjet.
Konjufca rikujtoi se gjatë sulmit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa theksoi se personat që kryen sulmin vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.
Sipas tij, rasti i Banjskës dëshmon rëndësinë e llogaridhënies për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Konjufca foli edhe për sulmin e vitit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, i cili ka rëndësi për furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës.
Ai vlerësoi se këto raste tregojnë se mbrojtja e sistemeve kritike nga sabotimet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride duhet të jetë pjesë e sigurisë rajonale.
“Kosova u përball me të dyja këto sulme dhe doli fitimtare. Këto nuk janë kërcënime abstrakte për vendin tonë. Kosova i ka përjetuar drejtpërdrejt dhe, pikërisht për këtë arsye, është e gatshme të japë kontribut konkret në përgjigjen e përbashkët rajonale ndaj sulmeve të tilla”, thuhet në komunikatën për media.

