Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të marrë masa ndaj Donika Gërvallës dhe Liburn Aliut, duke i akuzuar ata për veprime dhe deklarata lidhur me rastin e Gjykatës Speciale.
Gucati i ka bërë këto deklarata gjatë protestës mbarëpopullore në Prishtinë, të organizuar në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, shkruan Insjaderi.
“Ne e dimë që qytetarët holandezë nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë, por kanë njerëzit që punojnë dhe veprojnë. Prokurorë që ranë nën ndikim të Serbisë dhe Rusisë, gjyqtarët të cilët morën vendime, nga Trendafilova e cila vjen nga një shtet pseudo-komunist, Bullgaria”, tha Gucati.
Ai tha se qytetarët në protestë kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Speciale dhe kërkoi që ai të shfuqizohet.
“Sot ne i themi: JO NË EMRIN TIM. Nuk ka bir nane që del dhe thotë se duhet t’i dënojmë pjesëtarët e UÇK-së. Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata Speciale ta shfuqizojë dhe ta marrë parasysh gjithë këtë popull që janë ngritur në këmbë për t’i mbrojtur djemtë e vet”, u shpreh ai.
Gucati kritikoi edhe institucionet e Kosovës për, siç tha, heshtjen pas aktgjykimit.
“Sot çka na befason ende nga institucionet e vendit tonë, nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë. Në vend që Donika Gërvalla të dalë dhe të japë një deklaratë për një padrejtësi që është bërë ndaj çlirimtarëve tanë, ajo sot hesht”, tha Gucati.
Më pas, ai akuzoi Gërvallën se ka dorëzuar dokumentacion në Hagë, ndërsa përmendi edhe deklaratat e mëhershme të Liburn Aliut.
“Ne e dimë që Donika Gërvalla ka dorëzuar dokumentacione në Hagë. Ne e dimë që Liburn Aliu ka folur për…”, tha Gucati, pa e përfunduar në këtë pjesë të deklaratës së tij atë që po i referohej.
Ai kërkoi nga Kurti që Gërvalla dhe Aliu të përjashtohen nga Qeveria.
“Ne i themi Albin Kurtit nga sot që t’i përjashtojnë këta njerëz nga Qeveria. Ne kërkojmë nga Donika Gërvalla e Liburn Aliu të dimë se ku i morën ato informata? Kush janë ata që i kanë vrarë ata njerëz?”, deklaroi ai.
Në fund, Gucati bëri thirrje që, sipas tij, të bëhet dallimi mes përgjegjësve për krime dhe pjesëtarëve të UÇK-së.
“Të ndahet shapi nga sheqeri përgjithmonë, jo të drejtohet gishti në drejtim të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati. /Insajderi.org/

