Familja e Rea Rakës ka njoftuar se e pamja për të do të mbahet këtë të diel, më 13 shtator në Prishtinë, nga ora 09:00 deri në 18:00.
Në një njoftim, babai i saj, Petriti ka shprehur dhimbjen për humbjen e Reas, duke treguar se për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore nuk patën mundësinë ta përcillnin dhe t’i jepnin lamtumirën që meritonte.
“Edhe pse plagët fizike janë shëruar sadopak, dhimbja në shpirt mbetet e madhe”, thuhet në njoftimin e familjes.
Familjarët kanë ftuar të afërmit, miqtë dhe dashamirët që të jenë pranë tyre në këto ditë të vështira dhe të kujtojnë Rean.
“Prania juaj dhe kujtimi juaj për Rea-n do të jenë ngushëllimi ynë në këto ditë të vështira”, thuhet në postimin e dhimbshëm të tij në emër të familjes, transmeton Klankosova.tv
Rea Raka vdiq më 21 korrik të këtij viti pas një aksidenti në Komoran.

