Ish-kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, i ka bërë thirrje Kroacisë që të bllokojë negociatat e Bashkimit Evropian me Serbinë dhe Malin e Zi, për shkak të reakcionit të autoriteteve serbe dhe kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ndaj vdekjes së kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.
“Pas reagimit të autoriteteve në Serbi ndaj vdekjes së një xhelati të dënuar, krimineli guerre, Republika e Kroacisë, si anëtare e BE-së, duhet të bllokojë negociatat e atij vendi për në BE. Gjithashtu edhe të Malit të Zi për shkak të çetnikut Mandiq”, ka shkruar Kosor, përcjell INA.
Ju kujtojmë se pas vdekjes së kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në njësinë e paraburgimit në Scheveningen, përfaqësues të autoriteteve në Serbi reaguan duke e glorifikuar kriminelin e luftës dhe duke mohuar krimet që ai ka kryer, përfshirë edhe gjenocidin.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe lideri i Demokracisë së Re Serbe (NSD), Andrija Mandiq, i ka shprehur ngushëllime djalit të Ratko Mlladiqit, siç ka njoftuar vetë Mandiq në rrjetin social X.
“Sapo i shpreha ngushëllimet e mia Darko Mlladiqit, në emrin tim personal dhe në emër të Demokracisë së Re Serbe, me rastin e vdekjes së babait të tij, gjeneralit Ratko Mlladiq”, ka deklaruar Mandiq. (INA)

