Presidenti kinez Xi Jinping u takua të hënën me homologun e vet uzbekistanas Shavkat Mirziyoyev në kryeqytetin e Kirgizistanit Bishkek, gjatë Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait 2026.
Xi Jinping vuri në dukje se ky vit shënon 10-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Uzbekistanit. “Nën udhëheqjen tonë të përbashkët, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë vazhduar të përmirësohen, bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka qenë i frytshëm dhe ndërtimi i një komuniteti me të ardhme të përbashkët Kinë-Uzbekistan ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, u shpreh Xi. Ai shtoi që Kina është e gatshme të punojë me Uzbekistanin për të konsoliduar besimin e ndërsjellë strategjik, për të thelluar bashkëpunimin reciprokisht të dobishëm dhe për të krijuar së bashku një “dekadë të artë” të re për marrëdhëniet dypalëshe
Xi Jinping theksoi se të dy vendet duhet të përparojnë ndërtimin me cilësi të lartë të hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan, të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si inteligjenca artificiale e kontrolli i shkretëtirëzimit dhe t’i përmbahen parimit të përfitimit të ndërsjellë.
Nga ana e tij, Shavkat Mirziyoyev u shpreh se Uzbekistani e Kina kanë një miqësi të thellë dhe gjithmonë e kanë kuptuar dhe mbështetur njëri-tjetrin. Sipas tij, Uzbekistani është i përkushtuar për të zhvilluar marrëdhënie me Kinën dhe ky angazhim nuk do të ndryshojë për shkak të ndryshimeve në situatën ndërkombëtare. Pala uzbekistanase është e gatshme të punojë me palën kineze për të forcuar besimin e ndërsjellë politik, për të zgjeruar tregtinë e investimet, për të thelluar bashkëpunimin në bujqësi, transport, energjetikë, miniera, shkencë e teknologji, për të promovuar shkëmbimet kulturore.Uzbekistani i përmbahet fuqimisht parimit të një Kine, i vlerëson lart katër nismat globale të propozuara nga presidenti Xi Jinping dhe është i gatshëm të punojë me Kinën për të nxitur zhvillimin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe për të mbrojtur së bashku drejtësinë e barazinë ndërkombëtare, tha Mirziyoyev.

