Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, propozoi zhvillimin e një takimi trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së tij të fshehtë në Moskë në fillim të kësaj jave, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës. Lajmi është bërë i ditur për Axios nga dy burime të informuara mbi çështjen.
Kjo ishte hera e parë që Ratcliffe u përfshi personalisht në përpjekjet diplomatike për të arritur një përparim në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës.
Vizita e Ratcliffe në Moskë kishte pjesërisht si synim të përcaktonte nëse drejtuesit rusë të shërbimeve të inteligjencës mund të ndihmonin për ta bindur Putinin të rikthehej drejt negociatave me Ukrainën, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.
Të premten, zyrtarët amerikanë informuan Zelenskyn për bisedimet e Ratcliffe në Moskë dhe propozimin për një samit trepalësh.
Administrata Trump e ka hedhur edhe më parë idenë e një takimi të tillë. Zelensky ka qenë dakord, ndërsa Putin e ka refuzuar.
Vizita sekrete në Moskë
Ratcliffe udhëtoi në mënyrë të fshehtë drejt Moskës të martën, ku u takua me homologët e tij rusë, kreun e shërbimit të inteligjencës së jashtme SVR, Sergey Naryshkin, dhe drejtorin e FSB-së, Alexander Bortnikov.
Trump i tha Axios se vizita e Ratcliffe ishte ‘standarde’ dhe nuk kishte për qëllim paralajmërimin e Rusisë kundër sulmeve ndaj territorit të NATO-s.
Ratcliffe kërkoi rifillimin e negociatave
Sipas burimeve, zyrtarët amerikanë i thanë Zelenskyt se Ratcliffe kishte diskutuar në Moskë edhe mundësinë e rifillimit të negociatave të paqes.
The New York Times raportoi se Ratcliffe i dha Bortnikovit një vlerësim ‘të zymtë’ për gjendjen e luftës dhe i bëri thirrje Rusisë të arrijë një marrëveshje përpara se situata e saj të përkeqësohet.
Sipas burimeve të Axios, Ratcliffe arriti në përfundimin se Bortnikov është një aktor konstruktiv, i cili mund të ndihmojë në rikthimin e përpjekjeve diplomatike. Nga ana tjetër CIA nuk pranoi të komentojë.
Ukraina skeptike ndaj qëllimeve të Putinit
Megjithatë, zyrtarët ukrainas janë shumë skeptikë për qëllimet e Putinit dhe thonë se kanë informacione të inteligjencës që sugjerojnë se presidenti rus po përgatit një përshkallëzim të madh të luftës.
Zëvendësshefi i kabinetit të Zelenskyt, Pavlo Palisa, deklaroi të premten se Putini ka urdhëruar ushtrinë të përgatisë disa skenarë operacionalë për një ofensivë në veri të Ukrainës, me Kievin dhe Çernihivin të identifikuar si zona kryesore.
Negociatat mund të rifillojnë në shtator
Negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga administrata Trump, u pezulluan në mesin e shkurtit pas nisjes së luftës me Iranin.
Emisarët e Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar gjatë muajve të fundit bisedime të ndara me negociatorët rusë dhe ukrainas, por është bërë pak progres.
Shefi i kabinetit të Zelenskyt, Kyrylo Budanov, tha të enjten për mediat lokale se bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja me Rusinë mund të rifillojnë në shtator.
Ndërkohë, Zelensky falënderoi të premten SHBA-në për ‘tonin e nevojshëm të bisedës me Rusinë’ dhe tha se administrata Trump ‘po çon përpara një vizion realist për atë që duhet bërë dhe çfarë duhet të arrihet’.
© SYRI.net

