Në panairin ndërkombëtar të aviacionit “Farnborough International Airshow 2026”, u prezantua një nga risitë më të mëdha të transportit ajror: taksitë ajrore elektrike. Kompania britanike “Vertical Aerospace” kreu fluturimin e parë publik të modelit “Valo”, një avion elektrik me ngritje dhe ulje vertikale.
Valo funksionon tërësisht me energji elektrike, falë tetë paketave të mëdha të baterive dhe tetë helikave, katër prej të cilave janë të lëvizshme. Sipas pilotit testues Tim Eldridge, fuqia prej 1.2 megavatësh gjatë ngritjes e bën avionin jashtëzakonisht të fuqishëm, ndërsa kalimi nga fluturimi vertikal në atë horizontal mbetet sfida më e madhe teknike.
“Është tërësisht elektrike. Pra, janë tetë bateri shumë të mëdha. Imagjinoni tetë Tesla të mëdhenj në pjesën e poshtme të kësaj makine. Bateri që vënë në lëvizje tetë helika, katër përpara, të cilat mund të anohen, katër prapa që thjesht sigurojnë ngritje. Pra, nëse do të shkojmë në një ngritje vertikale, të tetë ato helika do të ngrihen lart, duke ju dhënë ngritje lart. Dhe ndërsa përshpejtojmë, katër helikat e përparme do të anohen përpara, duke dhënë gjithnjë e më shumë shpejtësi.”
Valo synon të arrijë një rreze fluturimi deri në 160 kilometra, duke u mbështetur në përparimet e fundit në teknologjinë e baterive, motorëve elektrikë dhe materialeve të lehta.
“E ndjen vërtet fuqinë kur ngrihesh në ajër. 1.2 MW (megavat) energji elektrike në ngritje. Kjo është shumë energji dhe mund ta ndjesh që vjen përmes strukturës së avionit.”
Edhe kompania amerikane “Archer Aviation” prezantoi taksinë e saj ajrore elektrike “Midnight”, e projektuar për transportin e pasagjerëve në distanca të shkurtra. Archer synon ta përdorë këtë shërbim gjatë “Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të Los Anxhelosit në vitin 2028”, duke krijuar një rrjet që do të lidhë aeroportin ndërkombëtar me qendrat kryesore të qytetit. Sipas kompanisë, objektivi është që çmimi i një fluturimi të jetë konkurrues me koston e një udhëtimi me makinë.
“Ajo me të cilën po konkurrojmë është dikush që mund të shkojë të marrë me qira një makinë për të shmangur ose për të bërë një udhëtim prej 10, 15 kilometrash për, le të themi, 100 dollarë. Ne duam të jemi në gjendje t’u japim atyre një vend në një taksi si kjo për aty ku janë nisur”, deklaroi Tom Muniz, drejtori i Teknologjisë së Informacionit i Archer.
Ndërkohë, “Joby Aviation” ka nisur fluturime demonstruese në Shtetet e Bashkuara dhe po i afrohet fazës përfundimtare të certifikimit.
Megjithëse kompanitë po ndjekin qasje të ndryshme teknologjike, të gjitha përballen me të njëjtën sfidë: të sigurojnë miratimet rregullatore dhe të provojnë se taksitë ajrore elektrike mund të jenë të sigurta, të besueshme dhe mjaftueshëm të përballueshme për t’u kthyer në një mjet transporti të përdorimit të gjerë.
Klan News
/tvklan.al

