Kanceri i prostatës nga i cili vuan ish-presidentit amerikan, Joe Biden, është përhapur përtej kockave dhe është shumë i dhimbshëm, ka bërë të ditur djali i tij, Hunter Biden, në një intervistë për BBC-në.
“Kanceri është përhapur, ka metastazuar në kockat e tij dhe më gjerë”, i ka thënë Hunter Biden emisionit “Neësnight” të BBC-së, sipas një videoje të publikuar në internet të premten.
“Është shumë i dhimbshëm dhe shumë dobësues në shumë aspekte”.Një zëdhënës i demokratit 83-vjeçar ka refuzuar të shtunën të komentonte mbi intervistën e Hunter Biden-it.
Ish-presidenti ka zbuluar në maj të vitit 2025, më pak se katër muaj pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, se ishte diagnostikuar me një “formë agresive” të kancerit të prostatës, duke thënë në atë kohë se ai ishte përhapur në kockat e tij.
Një zëdhënës i Bidenit ka thënë në tetor se ai po i nënshtrohej trajtimit me rrezatim dhe terapisë hormonale.
Bideni ishte personi më i moshuar që ka fituar presidencën amerikane në kohën e zgjedhjes së tij në vitin 2020.
Shëndeti fizik dhe kthjelltësia mendore e Bidenit kanë tërhequr vëmendjen dhe shqyrtimin publik gjatë presidencës së tij nga viti 2021 deri në 2025.
Bideni ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të bibliotekës presidenciale të Barack Obamas në qershor, në Çikago. Bideni ka shërbyer si nënkryetar i Obama-s nga viti 2009 deri në 2017.
Kujtimet presidenciale të Bidenit janë planifikuar të publikohen më 17 nëntor.

