Presidenti amerikan, Donald Trump, dje u bëri thirrje kompanive të mëdha të naftës në vend, përfshirë “Chevron”, që të ulin çmimet e karburanteve në tregun me pakicë, duke theksuar se industria duhet të ndajë një pjesë të fitimeve të saj edhe me konsumatorët.
Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump përshëndeti rezultatet e arritura nga “Chevron”, por kërkoi nga kompania dhe industria e naftës që të ulin çmimet në pikat e karburanteve.
“E njëjta gjë vlen edhe për kompanitë e tjera të naftës… Dhe ulni menjëherë çmimin e naftës për konsumatorët (në shitje me pakicë)!”, shkroi Trump.
Komentet e tij erdhën pasi “Chevron” të premten njoftoi një fitim rekord neto tremujor prej 10.34 miliardë eurosh (12.1 miliardë dollarë), duke treguar se kompanitë e mëdha të naftës kanë përfituar nga çrregullimet globale në furnizim të shkaktuara nga lufta me Iranin.

Drejtori ekzekutiv i “Chevron”, Mike Wirth, tha se tensionet e rritura me Iranin dhe sulmet e Huthëve ndaj infrastrukturës energjetike të Arabisë Saudite po rrisin rrezikun për ndërprerje të reja në furnizimin global me naftë.
“Tani po shohim se jo vetëm Ngushtica e Hormuzit, por edhe Deti i Kuq dhe Deti i Zi sjellin rreziqe dhe pasiguri. Kështu, disa nga sfidat janë zgjeruar dhe rreziqet për furnizimin janë shumë reale”, deklaroi Wirth të dielën për “Fox News”.
Çmimi mesatar kombëtar i karburantit në SHBA aktualisht është rreth 4.10 dollarë për gallon (3.8 litra) benzinë, ndërsa karburantet premium dhe nafta mund të kalojnë edhe 5 dollarë.

