Gjuha shqipe vazhdon të mbijetojë dhe të përcillet te brezat e rinj jashtë kufijve të Shqipërisë e Kosovës falë angazhimit të mësuesve të diasporës, të cilët punojnë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Në Brezovicë u zhvillua edicioni i 19-të i Seminarit Mbarëkombëtar të Gjuhës Shqipe në Diasporë. Në këtë aktivitet morën pjesë mësues, përfaqësues institucionesh dhe ekspertë nga Shqipëria, Kosova dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit, të cilët diskutuan për vështirësitë dhe perspektivat e arsimit shqip në diasporë.
Mësuesit theksuan se ndër sfidat kryesore mbeten mungesa e mbështetjes së vazhdueshme, vështirësitë ekonomike, numri i kufizuar i nxënësve dhe fakti që shumë prej kurseve shqipe funksionojnë mbi baza vullnetare. Ata nënvizuan nevojën për më shumë trajnime profesionale dhe përkrahje institucionale, me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimit.
Seminari u shërbeu mësuesve si një hapësirë për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e problemeve të përbashkëta dhe gjetjen e mënyrave të reja për ta bërë më efektiv mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Përfaqësueset e Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës vlerësuan punën e mësuesve jashtë vendit dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ato kujtuan se dy vendet kanë hartuar kurrikulë të përbashkët për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, si dhe kanë siguruar tekste e materiale didaktike për nxënësit.
Mesazhi kryesor i këtij seminari ishte se bashkimi i përpjekjeve mes mësuesve, institucioneve dhe komuniteteve shqiptare është i domosdoshëm për të garantuar që gjuha shqipe të vazhdojë të jetojë te fëmijët shqiptarë që rriten larg vendlindjes.

