Eurodeputetja italiane, Cristina Guarda, anëtare e Delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili disa ditë më parë akuzoi eurodeputetët që mbështesin protestën, se kanë interesa dhe agjenda dhe interesa personale.
‘Jo Edi Rama ne nuk kemi interesa personale’- thekson Guarda. CristinaGuarda ka publikuar një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar kryeministrit Edi Rama, ku shpreh shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet procesi i integrimit europian të vendit.
Në reagimin e saj, Guarda thekson se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të ketë në qendër mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe jo interesat e investitorëve apo të spekulatorëve.
Eurodeputetja bën të ditur se, në cilësinë e saj si pjesë e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe si politikane e angazhuar prej vitesh në çështjet e mjedisit dhe të drejtave të qytetarëve, ka firmosur një letër drejtuar Komisionit Europian. Sipas saj, qëllimi i kësaj nisme është evidentimi i problematikave që lidhen me procesin e integrimit dhe garantimi që ai të zhvillohet në shërbim të qytetarëve.
Në mesazhin e saj, Guarda kritikon zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se ato nuk janë në përputhje me standardet europiane dhe se po pengojnë pjesëmarrjen demokratike dhe mbrojtjen e interesit publik.
‘Edi Rama, ja axhenda jonë, publike. Ne punojmë për një proces të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që vendos në plan të parë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, dhe jo tekat e atyre që investojnë, blejnë e spekulojnë.
Ajo që po shohim të ndodhë nuk shkon në drejtimin e së drejtës europiane, por përkundrazi shtyp përpjekjet për pjesëmarrje demokratike, për aktivizim nga poshtë për mbrojtjen e mjedisit dhe të mirëqenies së të gjithë njerëzve që jetojnë sot në Shqipëri, si edhe të atyre që do të jetojnë në vitet që do të vijnë.
Për këtë arsye i kemi shkruar një letër Komisionit Europian, për të nxjerrë në pah të gjitha pikat problematike dhe për të ndërtuar së bashku një proces anëtarësimi që të jetë në shërbim të njerëzve, hap pas hapi’, shprehet eurodeputetja italiane Cristina Guarda..
‘Ligji aktual shqiptar, 21/2024 është në kundërshtim me legjislacionin europian dhe për ta bërë të pajtueshme duhet të anulohet, vetëm kështu mund të garantohet bashkërendimi me legjislacionin europian dhe projektet si resortet luksoze në zonat e mbrojtura nuk mund të jenë as të menduara dhe jo më të propozuara. Ndërkohë që vazhdojnë të na vijnë njoftime për punime në zonën e Vjosë-Nartës. Për këtë arsye në të Gjelbrit Europian i kemi shkruar sërish Komsionit Europian. Por çështja nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por ka të bëjë dhe me të drejtën e pronësisë. Një nga të drejtat themelore të garantuara nga Bashkimit Europian. Shumë shqiptarë nuk kanë ende titujt e pronësie së sigurta dhe procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist nuk është realizuar ende’, shprehet ajo në postimin e saj në rrjetet sociale.
© SYRI.net

