Nga vozitja e trotinetëve elektrikë, katër deri në pesë fëmijë në javë përfundojnë me lëndime në repartin e Ortopedisë në Spitalin e Tetovës, raporton Portalb.mk.
Për shkak të lëndimeve, mjeku Haris Karaxhenemi apelon që prindërit mos t’i lejojnë fëmijët të vozisin trotinete.
Ai thotë se numri i rasteve është alarmant dhe se është vazhdimisht në rritje.
“Çdo javë kemi nga katër pesë raste lëndimesh të fëmijëve sidomos. Andaj edhe një herë të ndalohet përdorimi i trotineteve nga fëmijët. Disa nga këto lëndime shkaktohen edhe në zonat e rritjes së eshtrave mund të lënë pasoja për të ardhmen, deformitete gjatë zhvillimit apo rritjes së sistemit skeletor”, tha Karaxhenemi.
Nga ana tjetër, nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë thonë se kanë rritur kontrollet, jo vetëm për trotinetet por edhe për motoçikletat.
SPB Tetovë dhe MPB ka rritur masat dhe aktivitetet kontrolluese, me qëllim zvogëlimin e numrit të shkeljeve që ndodhin dhe sanksionimin e drejtuesve që nuk respektojnë rregullat. Vetëm dje në rajonin e Tetovës, janë konstatuar gjithsej dhjetë shkelje, pra pesë për mos mbajtje helmete mbrojtëse, katër drejtim i pakujdeshshëm i automjetit dhe janë konfiskuar motoçikletat, si dhe është konstatuar edhe një shkelje për drejtim të automjetit me kategori të papërshtatshme”, tha zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Kujtojmë se ende pa u bërë një vit që nga lëshimi në përdorim, 100 trotinetët elektrikë që qytetarët mund t’i merrnin me qira, u zhdukën nga rrugët e Tetovës, autoritetet thonë se janë duke u riparuar. Vetëm vitin e kaluar në Tetovë janë regjistruar 14 aksidente të trotinetëve elektrikë, ndërsa këtë vit 7.
Përndryshe, në Tetovë problem mbetet infrastruktura e dobët, për biçikletat dhe trotinetat, ende nuk ka shtigje për këto mjete të transportit, pavarësisht premtimeve të autoriteteve komunale. Së fundmi, kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se janë duke përgatitur projekt për shteg për biçikletat dhe trotinetët elektrikë, por nuk dha detaje se kur kjo do të realizohet në terren.

