
Nxënësja e talentuar Buna Latifi ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të muzikës, duke fituar vendin e parë me pikë maksimale në festivalin prestigjioz “Montenegro Guitar Festival”, i mbajtur në Tivat të Malit të Zi, shkruan AlbanianEducation.
Në këtë garë morën pjesë instrumentistë të rinj nga vende të ndryshme, përfshirë Rusinë dhe Malin e Zi, ndërsa vlerësimi u bë nga një juri profesionale e përbërë nga ekspertë të muzikës nga Serbia dhe Mali i Zi.
Ky është vetëm një nga sukseset e shumta të Buna Latifit, e cila deri më tani ka fituar mbi 15 çmime të para në festivale dhe gara të ndryshme muzikore, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe punën e palodhshme në fushën e muzikës.
Arritja e saj e fundit përbën një arsye krenarie dhe një dëshmi të potencialit që të rinjtë shqiptarë po tregojnë në skenat ndërkombëtare artistike.

