Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Faton Ahmeti, gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve në kuvendin e degës së BDI-së në Zhelinë, tha se viti 2024 shënoi një kthesë në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke ngritur, sipas tij, debate për respektimin e legjitimitetit etnik dhe politik të shqiptarëve.
Ahmeti theksoi se pas shumë vitesh progres në përfaqësimin politik të shqiptarëve në institucionet shtetërore, në vitin 2024 në përbërjen qeveritare u përfshinë subjekte politike shqiptare që, sipas tij, nuk gëzonin legjitimitetin e shumicës së votuesve shqiptarë.
“Pas shumë viteve progres, në vitin 2024 u krijua një situatë e re politike, ku në Qeveri u përfshinë përfaqësues politikë shqiptarë që nuk gëzonin legjitimitetin politik shqiptar, duke hapur debate serioze mbi respektimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe parimin e legjitimitetit etnik”, deklaroi Ahmeti.
Ai shtoi se respektimi i vullnetit politik të shqiptarëve mbetet një nga shtyllat kryesore për funksionimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe për stabilitetin institucional në vend.
Deklaratat e Ahmetit u bënë në kuadër të aktiviteteve të BDI-së për organizimin e strukturave partiake dhe diskutimet mbi zhvillimet aktuale politike në vend. përcjell Zhurnal.mk .

