Komisioni Shtetëror Antikorrupsion në Maqedoninë e Veriut ka hartuar Planin Vjetor për vitin 2026, ku fokus kryesor do të jetë monitorimi i detajuar i gjendjes pasurore dhe konfliktit të interesit për 60 funksionari publikë. Lajmin e bëri të ditur Kryetari i Antikorrupsionit, Adem Çuçul.
Sipas planit, “skaneri” i Antikorrupsionit këtë vit do të kalojë nëpër këto kategori:
10 gjyqtarë
10 prokurorë publikë
10 deputetë
10 ministra
10 kryetarë komunash
10 ish-kryetarë komunash (të cilëve u ka përfunduar mandati)
Çuçul vuri në dukje një fenomen shqetësues që haset shpesh gjatë kontrolleve zyrtare. Sipas tij, në dokumente zyrtare funksionarët dhe familjarët e tyre nuk shfaqin rritje të dyshimtë të të ardhurave, por perceptimi dhe realiteti në opinionin publik flet ndryshe. “Shpesh në opinion dëgjohet se persona që nuk kanë të ardhura të mëdha, zotërojnë pasuri të madhe,” u shpreh Çuçul. Ai sqaroi se zbulimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mbetet një proces mjaft kompleks. Një nga pengesat kryesore është legjislacioni aktual, i cili i kufizon institucionet të kontrollojnë vetëm ata anëtarë të familjes që jetojnë në të njëjtën bashkësi familjare (ekonomi shtëpiake) me funksionarin, duke lënë hapësirë për fshehjen e pasurisë te të afërmit e tjerë. (INA)

