Njëri nga nismëtarët e protestës studentore për mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj qëndrimeve të Ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, dhe qasjes së qeverisë për këtë çështje, transmeton TV21.
Ademi shpreh habi pse, siç thotë ai, ministri Fillkov vazhdon të kundërshtojë kërkesën e studentëve edhe pas protestës masive, duke u paraqitur si “mbrojtës i gjuhës maqedonase”.
Sipas tij, studentët shqiptarë nuk kanë asgjë kundër gjuhës maqedonase, por kundërshtojnë ata që, siç shkruan ai, “janë kundër gjuhës sonë amtare”.
Ai kritikon edhe kryeministrin për insistimin që çështja të dërgohet në Komisionin e Venecias, duke vlerësuar se kjo vetëm sa e zvarrit zgjidhjen e problemit. “Pse na mundoni çdo herë? Pse jeni kaq kundër gjuhës shqipe?
A ju frikëson aq shumë?”, shkruan Ademi në reagimin e tij publik.

