Një shoqatë për miqësi serbo-maqedone ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të udhëtuar drejt Beogradit në përkrahje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në ditën e 23 majit kur është paralajmëruar protesta masive studentore kundër pushtetit aktual në Serbi, përcjell INA.
Kjo thirrje është bërë nga shoqata e njohur si “Paqe, harmoni, stabilitet” me seli në Shkup, e cila ka ftuar qytetarët që më 23 maj të tubohen para Konsullatës së nderit të Serbisë në Kumanovë, për të udhëtuar më pas drejt Serbisë në mënyrë të organizuar.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve me qëllime të mira, të cilët e respektojnë politikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të na bashkohen dhe së bashku të dërgojmë një mesazh të fuqishëm të harmonisë, bashkimit dhe mbështetjes. Të jemi bashkë atëherë kur është më së shumti e nevojshme”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale.

