Gjigandi i marketeve SPAR hapi pikën e tij të parë INTERSPAR në Maqedoni, në kompleksin Retail Fresh Store në bulevardin “Brigada maqedono-kosovare” në Shkup, duke shënuar zyrtarisht hyrjen në tregun vendor të shitjes me pakicë.
Në prani të shumë mysafirëve, zyrtarë vendorë, ambasadorë, anëtarë të komunitetit të biznesit si dhe përfaqësues të SPAR International dhe menaxhmentit të SPAR, u tregua se çfarë sjell zinxhiri i marketeve për tregun vendor dhe planet për të ardhmen.
“Bashkë me partnerët tanë planifikojmë të hapim 65 markete në 12 muaj dhe të ndërtojmë një qendër të re shpërndarjeje që të përmirësojmë logjistikën dhe zinxhirin me një investim prej 43 milionë eurosh, duke krijuar vende të reja pune, mundësi të reja, rritje për gjithë sektorin, duke prezantuar teknologji të reja, trajnime dhe zhvillim, dhe para së gjithash për të përmirësuar zgjedhjen, përvojën dhe vlerësimin e konsumatorit”, theksoi Dejvid Mur, drejtor ndërkombëtar për shitje dhe zhvillim – SPAR.
Sllavica Blazheva, drejtoreshë komerciale e SPAR Maqedoni, theksoi se ardhja e SPAR përfaqëson fillimin e një transformimi afatgjatë të tregut të shitjes me pakicë dhe një investim të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Marka private SPAR nuk është vetëm garanci për cilësi të lartë dhe çmime të përballueshme, por edhe një mundësi konkrete për bashkëpunim me prodhuesit vendorë. Me përfshirjen e kompanive vendore në zhvillimin dhe prodhimin e produkteve SPAR, drejtpërdrejt do të kontribuojmë në rritjen e ekonomisë lokale, do të krijojmë mundësi për bizneset e vogla dhe të mesme dhe do të mbështesim hapjen e vendeve të reja të punës në shtet”, u shpreh Sllavica Blazheva, drejtoreshë komerciale e SPAR Maqedoni.
Marketet e para të SPAR janë në Retail Fresh Store dhe në Xhevahir Mall.
Është paralajmëruar se SPAR do të investojë gjithsej 45 milionë euro në Maqedoni gjatë tre viteve të ardhshme, prej të cilave rreth 15 milionë euro do të shkojnë për hapjen e marketeve të reja dhe ri-brendimin e lokacioneve ekzistuese sipas standardeve evropiane.
Kompania gjithashtu do të investojë rreth 30 milionë euro për ndërtimin e një qendre moderne logjistike me mbi 40.000 metra katrorë, projekt që pritet të hapë rreth 400 vende të reja pune.
SPAR dhe INTERSPAR aktualisht operojnë në 48 shtete të botës, me mbi 13.800 markete në katër kontinente. Çdo ditë shërben mbi 14 milionë konsumatorë në nivel global.

