Një 44-vjeçar nga Prilepi është arrestuar nën dyshimet për mashtrim në vlerë prej mbi 88 mijë eurosh, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas policisë, dje (30.04.2026), në Pikën Kufitare Tabanoc është privuar nga liria personi me inicialet B.K. (44). Arrestimi erdhi pas hetimeve të zhvilluara nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, në koordinim me SPB Strumicë – Njësia Policore në Vallandovë.
Nga të dhënat paraprake, i dyshuari në periudhën nga korriku deri në nëntor të vitit 2025 ka mashtruar një banor të Vallandovës, duke i premtuar në mënyrë të rreme organizimin e trajtimit mjekësor jashtë shtetit për bashkëshorten e tij.
Duke u bazuar në këto pretendime, viktima në disa raste ka paguar gjithsej rreth 88.300 euro (mbi 5.5 milionë denarë). Sipas informacioneve, bashkëshortja e të dëmtuarit ndërkohë kishte ndërruar jetë.
I dyshuari është nxjerrë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Gjevgjeli, ku ndaj tij është caktuar masë kujdesi.
MPB njoftoi se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim.

