Pas kërkesave të njëpasnjëshme të opozitës, qeveria dorëzoi në Kuvend raportin e Këshillit të Ministrave mbi ecurinë e procesit të integrimit ne Bashkimin Europian. Në dokumentin prej 86 faqesh, pasqyrohet ecuria e “punëve të shtëpisë” te lëna nga Brukseli, ndërsa theksohet se janë miratuar plot 222 akte, prej të cilave 44 janë ligje, 78 janë VKM dhe 100 akte nënligjore.
“Viti 2025 shënoi kulmin e punës për hapjen e negociatave dhe përmbushjen e Piketave të Ndërmjetme, ndërsa vitet 2026–2027 do dominohen nga përgatitja teknike për përmbushjen teknike të kushteve mbyllëse, të përcaktuara nga BE për Shqipërinë, për mbylljen negociatave dhe konsolidimin e reformave për anëtarësimin dhe transformimin evropian të vendit, nga vend kandidat, në atë të negociatave për anëtarësimin e tij në vend anëtar”, thuhet në dokument.
Sipas dokumentit, vendi ynë ka përparuar në fusha si drejtësia, lufta kundër krimit, korrupsionit, të drejtave të njeriut dhe barazisë.
“Këto kushte përbëjnë pikat kyçe në negociatat e anëtarësimit, për të garantuar një ecuri të qëndrueshme dhe të besueshme veçanërisht në fushat e Shtetit të së Drejtës, reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në dokument.
Megjithatë, dokumenti nuk shmang edhe sfidat. Ai pranon se disa rekomandime ndërkombëtare mbeten të paplotesuara, ndërsa theksohet nevoja për forcim të mëtejshëm të institucioneve.
“Ky nivel përputhshmërie përkthehet në një vlerësim substancialisht pozitiv për konsolidimin e standardeve të integritetit si për ekzekutivin e nivelit të lartë, ashtu edhe për strukturat e zbatimit të ligjit, ndërsa fokusi vijon të jetë tek mbyllja e rekomandimeve të mbetura për të arritur përputhshmëri të plotë”, theksohet në dokument.
Në tërësi, dokumenti paraqet një narrativë optimiste megjithatë sinjalet do ti japë Brukseli, teksa Shqipëria ende po pret nisjen e fazës për përmbylljen e kapitujve të negociatave.

