Banorët e prekur nga djegia e pallati në zonën e Farmacisë 10 do të kenë mbështetje financiare.Në podcastin e tij “FLASIM”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se përpos rindërtimit nga kompania, bashkia do t’u mundësojë banorëve bonus qiraje por jo vetëm.
“Por deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shpjegoi se zjarri u shkaktua nga njeriu dhe se sipas tij kompanitë e ndërtimit duhet të jenë vigjilentë sa i përket materialeve që përdorin.
“E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë”, deklaroi kryeministri.
Rama dha dhe detaje nga takimet e tij në Romë dhe Barcelonë, ku konfirmoi se Spanja dhe Italia tashmë janë kthyer në vende mbështetëse ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit.
“Të gjitha qeveritë italiane, pa dallim, kanë qenë të gatshme dhe gjithmonë të vëmendshme për ta mbështetur dhe ndihmuar Shqipërinë.Por, me qeverinë aktuale të Republikës së Italisë, gjërat kanë shkuar në një nivel tjetër. Pas Romës pata një vizitë në Barcelonë. Nga Kryeministri Pedro Sanchez mora konfirmim në aspektin që Shqipëria nuk është më thjesht e pranishme, por është e besuar, është e respektuar dhe është e vlerësuar si një nga aktorët në tryezë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë komentoi dhe Samitin e katërt të Diasporës teksa theksoi se tashmë shqiptarët jashtë vendit kanë forcuar edhe më tej lidhjet mes vendit tonë dhe shteteve të tjera kudo në botë.

