Së shpejti del nga shtypi libri më i ri i prof.dr. Halim Hydës, me titull “Diplomacia, nga teoria në praktikë”, një vepër që sjell një trajtim të thelluar teorik dhe praktik mbi zhvillimin, rolin dhe sfidat e diplomacisë bashkëkohore.
Libri përfaqëson një ndërthurje të përvojës së gjatë profesionale të autorit në shërbimin diplomatik me analizën akademike të diplomacisë si disiplinë shkencore dhe instrument kyç në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përmes kësaj vepre, Prof. Hyda hedh dritë mbi evolucionin historik të diplomacisë, duke e trajtuar atë si art negocimi, por edhe si mekanizëm shtetëror që përshtatet vazhdimisht me realitetet e reja gjeopolitike.
Autori e koncepton diplomacinë si një proces dinamik, ku parimet teorike ndërthuren me sfidat konkrete të praktikës në arenën ndërkombëtare. Në fokus të librit janë transformimet nga diplomacia klasike drejt diplomacisë moderne, roli i diplomatit në epokën bashkëkohore, multilateralizmi, ndikimi i digjitalizimit, si dhe rëndësia në rritje e diplomacisë publike.
Në këtë botim trajtohen në mënyrë të detajuar edhe temat që lidhen me misionet diplomatike dhe konsullore, imunitetet dhe privilegjet diplomatike, protokollin dhe ceremonialin shtetëror, negociatat dhe mekanizmat për zgjidhjen e konflikteve, si dhe diplomacia e shteteve të vogla, me një vëmendje të veçantë për rastin e Maqedonisë së Veriut.
Një dimension i veçantë i librit është analiza mbi raportin ndërmjet diplomacisë dhe shërbimeve sekrete, një aspekt kompleks dhe pak i trajtuar në literaturën shqipe të kësaj fushe.

PARATHËNIA E PLOTË Е LIBRIT:
Diplomacia është njëra nga shtyllat kryesore dhe më të rëndësishme të organizimit politik dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke qenë njëkohësisht si shkencë ekomunikimit, art i komunikimit dhe praktikë institucionale. Që nga zanafilla e shteteve të para e deri në themelimin dhe arkitekturën plotë komplekse të sistemit ndërkombëtar bashkëkohor, diplomacia ka shërbyer si mekanizëm themelor për menaxhimin e konflikteve, ndërtimin e paqes, ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e interesave kombëtare. Ajo ka evoluar paralelisht me zhvillimin e shoqërive njerëzore, duke reflektuar transformimet politike, ekonomike, kulturore dhe teknologjike të epokave të ndryshme në zhvillimet historike.
Libri “Diplomacia – Nga teoria në praktikë” synon të ofrojë një trajtim të thelluar, gjithëpërfshirës dhe ndërdisiplinor të diplomacisë, duke ndërthurur analizën teorike akademike me përvojën konkrete praktike diplomatike. Vepra është ndërtuar mbi parimin se diplomacia nuk mund të kuptohet dhe ndërtohet plotësisht pa një qasje integruese, ku historia, teoria politike, e drejta ndërkombëtare, praktika institucionale dhe realiteti aktual global trajtohen si pjesë përbërëse të një tërësie të përbashkët organike.
Qëllimi kryesor i këtij libri është të shërbejë si një referencë shkencore dhe profesionale për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike, historisë dhe diplomacisë, për studentët universitarë dhe pasuniversitarë, si dhe për diplomatët, zyrtarët shtetërorë dhe praktikuesit e politikës së jashtme. Në të njëjtën kohë, libri synon të kontribuojë në pasurimin e literaturës shqipe në fushën e diplomacisë, duke ofruar një qasje të gjërë analitike të krahasueshme me zhvillimet dhe standardet e titujve dhe botimeve ndërkombëtare.
Libri fillon me një analizë të zhvillimit të proceseve shoqërore dhe politike në Evropë nën ndikimin e diplomacisë, duke argumentuar se diplomacia ka qenë një faktor përcaktues në formësimin e rendit evropian, ekuilibrave të fuqisë dhe mekanizmave të bashkëjetesës ndërmjet shteteve. Në kuadër të kësaj, trajtohet roli i diplomacisë si instrument parandalues i konflikteve dhe si mjet për institucionalizimin e kompromisit politik në evropë.
Një vend të rëndësishëm në kuadërtë kësaj analizë zë Zvicra, e cila është si një model më unik i ndërtimit shtetëror dhe diplomatik. Përmes një shqyrtimi historik dhe konceptual, libri analizon origjinën e emrit të Zvicrës (Confœderatio Helvetica – CH), zhvillimin e Konfederatës Zvicerane dhe tri etapat themelore të evoluimit të saj: periudha e parë (1291–1798), periudha e dytë (1798–1847) dhe periudha e tretë (1848 e deri më sot). Këto etapa pasqyrojnë transformimin e Zvicrës nga një bashkim kantonal në një shtet modern konfederal, neutral dhe me një diplomaci të konsoliduar ndërkombëtarisht. Figura legjendare e Wilhelm Telit trajtohet si simbol historik dhe mit politik i rezistencës, unitetit dhe vullnetit për vetëqeverisje.

