Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel.
Ahmeti e cilësoi Engelin si një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, duke theksuar se për më shumë se tre dekada ai ishte një zë i fuqishëm i lirisë së shqiptarëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Jam i trishtë për humbjen e një miku të madh të shqiptarëve. Ai do të kujtohet ndër gjenerata si një mbështetës i jashtëzakonshëm dhe kontribues i rëndësishëm në të gjitha proceset tona në Maqedoni të Veriut, Kosovë, Shqipëri, Luginë, Mal të Zi dhe diasporë,” shkroi Ahmeti.
Ai shtoi se kishte mësuar shumë nga takimet me Engelin në Uashington, Shkup dhe Prishtinë, duke theksuar se shqiptarët do të mbeten përjetësisht mirënjohës për kontributin e tij.
Në fund, Ahmeti i shprehu ngushëllime familjes së të ndjerit dhe e falënderoi për gjithçka që kishte bërë për shqiptarët.
Televizioni News

