Eksperti Ergys Mërtiri tha se kandidimi i Erion Braçes përfaqëson një impuls pozitiv për demokracinë e brendshme të partisë, por njëkohësisht është shenjë e përkeqësimit të marrëdhënieve dhe çbalancimit të pushtetit brenda PS-së.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Mërtiri deklaroi se Rama nuk ka interesa qeverisjeje, por ka halle klanore dhe hallin e SPAK-ut
INTERVISTA E PLOTË:
Si e shikoni shpalljen e Braçes si kandidat për kryetar bashkie?
Ergys Mërtiri: Ka dy aspekte. Nga njëra anë, kandidimi i zotit Braçe është një lloj ndikimi pozitiv për sa i përket frymës demokratike, për të mos e lënë kryetarin e partisë., i cili ka uzurpuar gjithçka dhe udhëheq në mënyrë arbitrare e personale të kontrollojë gjithë shtetin. Çdokush që kërkon të drejta dhe ngrihet kundër frymës së dominimit të liderit, i shërben demokracisë së brendshme. Së dyti, nga aspekti politik, është e logjikshme që një grup politik të kërkojë të përfaqësohet. Ajo që unë shoh si pasojë e veprimit të zotit Braçe është fakti që Rama po e kanalizon të gjithë partinë nën pushtetin e Ballukut. Ndryshimet e fundit në qeveri u bënë për të rritur influencën e saj. Partia Socialiste nuk mund të jetë peng i një problemi që kryetari ka me një person në hetim, grupet e tjera që nuk janë pjesë e “klanit Balluku” kanë të drejtë të jenë pjesë e qeverisjes. E përgëzoj Braçen për guximin përballë një autokrati si Rama.
A jemi të sigurt se kjo që po bën Braçe është tërësisht kundër vullnetit të kryetarit të partisë?
Ergys Mërtiri: Unë besoj që po. Prej kohësh zoti Braçe është lënë pas dore. Ai duket se është afruar me persona të tjerë si zoti Xhafa apo zonja Spiropali, të cilët janë sulmuar nga zoti Rama. Është e palogjikshme që zonja Spiropali të emërohej ministre në shtator dhe të shkarkohej në shkurt; çfarë shkoi keq me një person me aq përvojë? Duket se Rama nuk ka interesa qeverisjeje, por ka halle klanore dhe hallin e SPAK-ut. Ky konflikt në Partinë Socialiste, që ka qenë në gjendje latente, po del tashmë në skenë sepse problemet janë agravuar dhe konflikti është bërë i pashmangshëm.
Duke pranuar që ka vërtet një konflikt të Spiropalit me kryetarin e partisë, deri ku mund të shkohet?
Ergys Mërtiri: Kjo do të varet nga forcat që qëndrojnë pas tyre. Besoj se te Spiropali mund të jenë përqendruar forcat që më parë ishin te Erion Veliaj, të cilat sot gjenden të papërfaqësuara për shkak të çbalancimit të pushtetit nga ana e zonjës Balluku. Rama do të ketë një telash shumë të madh, sepse çdo çbalancim forcash e bën atë më të dobët ndërkohë që kërcënohet nga hetime serioze. Ramës do t’i duhet të sillet ndryshe, të shpërndajë pushtetin në sa më shumë grupe interesi dhe jo ta përqendrojë atë në pak duar, në mënyrë që konflikti të zbutet. Grupi që po del kundër është i detyruar ta bëjë këtë sepse është i goditur.
/vizionplus.tv

