Ka ndërruar jetë veprimtari i njohur kumanovar, Muharrem Shaljani, duke lënë pas një kontribut të çmuar në jetën shoqërore dhe kombëtare në rajonin e Kumanovës dhe më gjerë.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët, të cilët kanë njoftuar edhe për ceremoninë e varrimit, raportojnë Gazeta Lajm.
I ndjeri ishte jurist i diplomuar dhe për një periudhë ka ushtruar detyrën e tij profesionale në Gjykatën Themelore të Kumanovës. Krahas angazhimit profesional, ai u dallua për veprimtarinë e tij patriotike dhe kombëtare, të cilës nuk iu nda asnjëherë, deri në ditën e fundit të jetës.
Muharrem Shaljani është autor i librit “Dosja”, një vepër që përmbledh dokumente autentike nga ish-shërbimi sekret i ish-Jugosllavisë, duke sjellë dëshmi të rëndësishme historike.
Vdekja e tij konsiderohet një humbje për komunitetin dhe për të gjithë ata që e njohën dhe vlerësuan kontributin e tij ndër vite.(INA)

