Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes përfaqësueses Albanë Mustafa, ka alarmuar se ajo që kjo parti e kishte paralajmëruar tashmë po ndodh. Sipas saj, nuk ka asnjë intervenim nga Qeveria për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve, duke i lënë ata në mëshirë të fatit në një kohë kur pritet një rritje prej 30% e çmimit të naftës.
Mustafa theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht funksionon pa një Ministri të Ekonomisë funksionale, ndërkohë që pritet rritje e konsiderueshme e çmimeve të produkteve bazë, e kostove të transportit dhe, në përgjithësi, shtrenjtim i jetës për qytetarët. Nga BDI njoftojnë se nëse nuk implementohen urgjentisht masat e propozuara, çmimet në përgjithësi mund të rriten mbi 10%, gjë që do të rëndojë ndjeshëm buxhetet familjare në vend.
Sipas tyre, kjo Qeveri nuk ka kapacitetet e duhura për të menaxhuar krizat që ndodhin edhe 2.000 kilometra larg vendit. Për këtë arsye, BDI kërkon që Qeveria të shkarkojë menjëherë Ministrin e Ekonomisë, i cili sipas tyre nuk ka as vizion e as plan për menaxhimin e krizave ekonomike. Në mbyllje, i bëhet thirrje përsëri Qeverisë që të shqyrtojë seriozisht propozimet e BDI-së, duke premtuar mbështetje të plotë nëse masat për mbrojtjen e qytetarëve procedohen dhe miratohen në Kuvend.

