Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka reaguar pas hulumtimit të publikuar në KOHË për dy kompani nga Gjilani që pretendojnë se prodhojnë dronë luftarakë.
Ai e ka akuzuar pushtetin e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se “etja për foto dhe showbiz është mani e këtij pushteti”.
“Etja për foto dhe showbiz është mania e këtij pushteti. Skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti. Kur do të ndaleni një herë o të mjerë!”, “>ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në Gjilan, në nëntor të vitit të kaluar, kompanitë e angazhuara në prodhimin e dronëve i ka vizituar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai pati shkruar në Facebook se “dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë”.
Burimet i kanë thënë KOHËS se ato që i ka prezantuar kryeministri në Facebook si dronë luftarakë ishin maketa. Të dyja kompanitë janë relativisht të reja. Në bazë të regjistrit online të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve ato janë regjistruar si ndërmarrje në vitin 2025.

