Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ngritur aktakuzën e parë që lidhet me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Sipas njoftimit zyrtar, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit me inicialet M.A., i cili dyshohet se më 28 dhjetor 2025, në një qendër votimi në qytetin e Shtimes, ka dëmtuar dokumentet e votimit që lidhen me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prokuroria bën të ditur se me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale të paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa lënda është dorëzuar për trajtim në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda.
Nga Prokuroria e Shtetit është theksuar se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025 do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

