Rrënimi pa përzgjedhje i të gjitha objekteve që kanë uzurpuar në mënyrë të paligjshme hapësira publike të komunikacionit ose tokë shtetërore do të fillojë në periudhën e ardhshme në Kumanovë, paralajmëroi kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski, duke theksuar se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë.
– Nuk do të ketë selektivitet. Të gjitha objektet për të cilat ekziston vendim ekzekutiv i rregullt për rrënim, në periudhën e ardhshme do të rrënohen sipas prioritetit. Të gjitha objektet që kanë uzurpuar hapësira publike të komunikacionit ose tokë shtetërore, në fazën e parë duke filluar nga zona qendrore e qytetit drejt periferisë, e më pas edhe të gjitha objektet e tjera, sepse ne nuk mund ta zbatojmë ligjin në mënyrë selektive, deklaroi Dimitrievski.
Ai theksoi se aktivitete të tilla janë zbatuar edhe në periudhën e kaluar, si pjesë e aksionit të nisur për vendosjen e rendit në shfrytëzimin e hapësirës publike.
– Më herët ka pasur një ekzekutim që ndoshta nuk e keni ndjekur, në lokacionin “Bërza”, në hapësirën e parkimit pas ish-Bankës KIB. Tani po vazhdojmë në zonën qendrore të qytetit. Thjesht, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, tha kryetari i komunës.
Sipas tij, do të përfshihen të gjithë ushtruesit e veprimtarive që përdorin në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pa marrë parasysh se për çfarë objekti bëhet fjalë apo kush është pronari.
– Thjesht, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe të gjithë ata që ushtrojnë veprimtari dhe ofrojnë shërbime në qytet, të cilët kanë uzurpuar hapësira publike të komunikacionit, do të dislokohen, përfshirë edhe të gjithë këta kabllo famozë që i shohim prej më shumë se 15 vitesh se si mbijnë nëpër qytet dhe uzurpojnë hapësirat publike, theksoi Dimitrievski.
Ai paralajmëroi edhe aktivitete shtesë në periudhën e ardhshme, të cilat do të mbështeten me mjete nga buxheti komunal.
– Do të pasojë një aksion shtesë dhe në buxhetin e ri do t’i propozoj Këshillit të ndahen mjete serioze për ekzekutim, për t’i dhënë fund përfundimisht edhe kësaj çështjeje, deklaroi Dimitrievski.
Kryetari i komunës theksoi se nuk do të lejohet zbatim selektiv i ligjit dhe se respektimi i procedurave dhe detyrimeve ligjore do të jetë kyç.
– Aspak nuk më intereson se i kujt është lokali apo në pronësi të kujt ndodhet. Më e rëndësishmja është nëse ai që shfrytëzon një hapësirë të caktuar paguan për të në komunë apo jo, nëse ka përgatitur elaborat dhe gjithë dokumentacionin teknik të nevojshëm për siguri dhe mbrojtje, në përputhje me ndryshimet e reja ligjore, tha ai.
Dimitrievski kujtoi se nga 1 janari hyn në fuqi një ligj i ri, me të cilin kompetencat e shërbimeve inspektuese kalojnë te kryetarët e komunave, së bashku me përgjegjësinë për punën e tyre.
– Nuk kam ndërmend të lejoj që asnjë nga punonjësit e mi të mbajë përgjegjësi për shkak të vetëvullnetit të individëve që janë mësuar të ndërtojnë, të veprojnë dhe të uzurpojnë hapësira publike ku të duan dhe si të duan, vetëm për të ushtruar veprimtari, duke u shkaktuar dëm të tjerëve dhe duke mos i respektuar ligjet, theksoi kryetari i komunës.
Ai porositi se qytetarët e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre për vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë dhe se komuna është e obliguar ta realizojë këtë.
– Qytetarët në këto zgjedhje kërkuan të vendoset rend dhe ne jemi të detyruar t’ua ofrojmë atë qytetarëve brenda mundësive tona, përfundoi Dimitrievski./Kumanovski Muhabeti

