Dimitrievski vizitoi panairin e Vitit të Ri (VIDEO)
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, dhe kryetari i Odës Zejtare të Maqedonisë, Agron Fazliu, mbrëmë e vizituan panairin e Vitit të Ri në sheshin e qytetit.
Pas një periudhe më të gjatë kohore, Kumanova sërish ka panair të Vitit të Ri, i cili këtë vit organizohet në bashkëpunim me Odën Zejtare, me qëllim mbështetjen e zejtarëve dhe pasurimin e atmosferës festive në qytet. Si risi këtë vit, Dimitrievski e theksoi pikërisht panairin e Vitit të Ri, ku qytetarët do të kenë mundësi të blejnë suvenire dhe produkte festive.
– Këtë vit e dekoruam sërish qytetin brenda mundësive tona, por ajo që është risi është padyshim ky panair i Vitit të Ri, ku qytetarët do të mund të blejnë suvenire dhe gjithçka që shitet gjatë festave të Vitit të Ri, theksoi ai.
Në ditët në vijim, siç paralajmëroi kryetari i komunës, në sheshin e qytetit do të vendoset edhe një skenë me program të pasur të Vitit të Ri.
– Pas disa ditësh do të montohet edhe një skenë në sheshin e qytetit me program të Vitit të Ri, i cili do të jetë i mbushur me një numër të madh ngjarjesh kulturore nga interpretues vendorë, duke filluar nga kumanovaret dhe kumanovarët tanë, dhe sigurisht e presim edhe Antonia Gigovska, tha Dimitrievski.
Ai shtoi se edhe këtë vit nuk do të mungojnë aktivitetet tradicionale të dedikuara për më të vegjlit, ndër të cilat edhe prania e Babagjyshit të Vitit të Ri dhe ngjarjet festive të njohura.
Kryetari i Odës Zejtare, Agron Fazliu, tha se panairi është më i gjati në Maqedoni dhe do të zgjasë tre javë.
– Besoj se do të jetë pjesë e ambientit të festave të Vitit të Ri, duke përfshirë edhe festat e Krishtlindjeve. Publiku u njoftua me kohë se do të ketë thirrje publike dhe stendat u mbushën me produkte adekuate dhe produkte lokale që e paraqesin ekonominë tonë në dritën më të mirë, tha Fazliu./Kumanovo News

