Më 12 dhjetor 2025, Instituti për Mbrojtjen e Vlerave Demokratike (IPDV) realizoi Dialogun Transatlantik për Qeverisjen Demokratike, një takim ndërkombëtar i nivelit të lartë që mblodhi figura të rëndësishme politike, ish-anëtarë parlamentesh, ekspertë të sigurisë, juristë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Kanada dhe Ballkani Perëndimor.
Takimi u zhvillua në një moment të ndjeshëm për demokracitë bashkëkohore, të cilat po përballen njëkohësisht me presione institucionale, polarizim politik, dezinformim, sfida të sigurisë dhe ndarje të thella gjeopolitike. Në këtë kontekst, Dialogu synoi të krijojë një hapësirë serioze reflektimi dhe koordinimi transatlantik mbi mënyrat konkrete për mbrojtjen e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe besueshmërisë institucionale.
Takimi u hap nga Kryetarja e IPDV-së, znj. Vlora Jashanica, e cila theksoi se demokracia nuk mund të mbështetet vetëm në procedura formale, por kërkon institucione të besueshme, lidership etik, vendimmarrje të bazuar në fakte dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkombëtar. Ajo nënvizoi se mbrojtja e vlerave demokratike mbetet një përgjegjësi e përbashkët që tejkalon kufijtë kombëtarë.
Në hapje të Dialogut, znj. Jashanica bëri të ditur se IPDV kishte pranuar një komunikim zyrtar nga Zyra e Presidentit Bill Clinton, përmes të cilit u përcollën urimet për zhvillimin e suksesshëm të Dialogut, duke riafirmuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm transatlantik në mbrojtjen e demokracisë dhe jetës njerëzore.
Një moment i veçantë i takimit ishte edhe video-mesazhi nga Qeveria e Kanadasë, i përcjellë nga Hon. Rob Oliphant, Sekretar Parlamentar i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe njëherit Deputet i Parlamentit të Kanadasë, i cili rikonfirmoi përkushtimin e Kanadasë ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut, lirisë së mediave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Diskutimet u zhvilluan në disa sesione tematike, duke trajtuar besueshmërinë institucionale, etikën dhe llogaridhënien publike, qëndrueshmërinë demokratike, bashkëpunimin transatlantik, si dhe sfidat e përbashkëta gjeopolitike që ndikojnë drejtpërdrejt demokracitë në Evropë, Amerikën e Veriut dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, Brando Benifei, Anëtar i Parlamentit Evropian dhe Kryesues i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, theksoi se proceset demokratike po përballen me presione të reja përmes dezinformimit, ndërhyrjeve të jashtme dhe keqpërdorimit të teknologjive digjitale, duke nënvizuar nevojën për koordinim më të ngushtë ndërmjet demokracive për të mbrojtur integritetin demokratik në një mjedis gjithnjë e më të fragmentuar gjeopolitik.
Një kontribut të rëndësishëm dha edhe Lesley Abdela, e nderuar me MBE -Medalje e Urdhrit të Perandorisë Britanike, eksperte ndërkombëtare për demokraci, barazi gjinore dhe të drejta të njeriut, anëtare e Bordit të British Council dhe partnere e lartë në Shevolution nga Mbretëria e Bashkuar. Ajo theksoi se demokracia globale ndodhet nën presion të vazhdueshëm nga autoritarizmi, dobësimi i institucioneve dhe rënia e besimit publik, duke paralajmëruar se demokracia nuk është e vetëqëndrueshme dhe kërkon përkushtim aktiv për t’u mbrojtur. Abdela nënvizoi rëndësinë e forcimit të integritetit institucional, mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe rindërtimit të besimit qytetar si elemente kyçe për qëndrueshmërinë demokratike në një mjedis global gjithnjë e më kompleks.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe çështjeve të sigurisë dhe stabilitetit demokratik. Jason F. Emert, Avokat Ndërkombëtar, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare të SHBA (JAG), oficer i United States Air National Guard, Ekspert Ndërkombëtar i Zgjedhjeve dhe Promovues i Demokracisë, paraqiti një vështrim të integruar mbi sfidat kryesore gjeopolitike dhe të sigurisë. Ai theksoi se lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet për destabilizim në Ballkanin Perëndimor janë të ndërlidhura dhe përbëjnë pjesë të së njëjtës dinamikë që synon minimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Në këtë kontekst, Emert vlerësoi Kosovën si një shembull të orientimit të qëndrueshëm drejt vlerave perëndimore dhe rendit euro-atlantik, duke nënvizuar rolin e saj si partnere e përgjegjshme në arkitekturën e sigurisë rajonale, përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Iowa National Guard dhe angazhimin në kuadër të NATO-s.
Sa i përket përfaqësimit nga Kosova, IPDV bëri të ditur se mungesa e deputetëve nga Kosova në rolin e folësve lidhej me faktin se vendi ndodhet aktualisht në një proces zgjedhor, ku përfshirja e drejtpërdrejtë e kandidatëve në gara elektorale kërkon respektimin e parimeve të paanshmërisë dhe etikës demokratike.
Kontribute të rëndësishme u dhanë gjithashtu nga anëtarë dhe ish-anëtarë parlamentesh nga Evropa, ekspert dhe ish këshilltarë ligjor te Palamentit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Ballkani Perëndimor, të cilët trajtuan çështje që lidhen me sundimin e ligjit, lirinë e mediave, rolin e parlamenteve, shoqërinë civile dhe përfshirjen e të rinjve në proceset demokratike.
Në një kohë kur demokracitë po përballen me presione të drejtpërdrejta, relativizim të vlerave dhe paqartësi gjeopolitike, Dialogu Transatlantik për Qeverisjen Demokratike, i realizuar nga IPDV, dëshmoi se ekziston ende një hapësirë e përbashkët ku zëra nga përtej Atlantikut artikulojnë qëndrime të qarta në mbrojtje të sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Takimi përcolli mesazhin se mbrojtja e demokracisë nuk është çështje retorike, por një angazhim konkret politik, institucional dhe moral që kërkon bashkëpunim, guxim dhe përgjegjësi të përbashkët./Televizioni News

