Një grup qytetarësh nga Kumanova, të cilët ishin nisur për të marrë pjesë në protestën paqësore në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Shkup, janë ndaluar sot nga policia në pikëpagesën e Miladinovcit. Sipas informatave nga terreni, ndalimi ka ndodhur teksa protestuesit po udhëtonin drejt kryeqytetit për protestën e paralajmëruar në orën 13:00. Automjetet e tyre janë ndalur pa ndonjë sqarim zyrtar, ndërsa qytetarëve u është pamundësuar vazhdimi i rrugës drejt vendit të protestës. Protestuesit shprehen të revoltuar ndaj këtij veprimi, duke theksuar se nuk u është dhënë asnjë arsye e qartë dhe as bazë ligjore për ndalimin. Sipas tyre, veprimi i policisë përbën pengesë të drejtpërdrejtë ndaj së drejtës për tubim dhe protestë paqësore. Situata ka shkaktuar tension dhe vonesa në qarkullim, ndërsa qytetarët kërkojnë që të lejohen të vazhdojnë rrugën dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet për arsyet e ndalimit.

