Rampat hekurudhore në fshatin Llopat, ndonëse të vendosura prej kohësh, vazhdojnë të jenë jashtë funksionit, duke krijuar rrezik të madh për qarkullimin rrugor dhe jetën e qytetarëve. Ekipi ynë i Televizionit News sot u gjend në vendngjarje dhe pamjet që hasëm ishin shqetësuese. Gjatë kalimit të trenit, sinjalizuesit me zë ishin i vetmi mjet paralajmërimi për drejtuesit e veturave, të cilët shpesh i afrohen vendkalimit pa e kuptuar rrezikun real. Rampat nuk lëvizin, ndërsa sinjalizimi vizual është i dobët. Treni ishte i detyruar të përdorte paralajmëruese me zë të pandërprerë, në përpjekje për të paralajmëruar secilin automjet që afrohej. Televizioni News ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve, duke ngritur zërin për problemet e përditshme që rrezikojnë jetën dhe sigurinë publike. Edhe kësaj radhe, ne i bëjmë thirrje organeve kompetente, komunës dhe institucioneve hekurudhore që të reagojnë urgjentisht dhe të ndërhyjnë në këtë vendkalim, për të shmangur çdo tragjedi të mundshme. Siguria nuk duhet të jetë luks është detyrim. Ne do të vazhdojmë të raportojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi deri në zgjidhjen e plotë të këtij problemi.
Televizioni News
Nga: Alma Shahin

