Prokuroria e Maqedonisë së Veriut me vite e zvarrit hetimin e dytë për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht se kanë kaluar mbi dy vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ende nuk ka vendim dhe nuk është ngritur aktakuzë.
Nga Prokuroria Publike tani nuk tregojnë se në çfarë faze është ky rast dhe kur pritet të ketë vendim, ndërsa vazhdimisht janë arsyetuar se rasti po hetohet.
“Çështja për të cilën shfaqni interes, e cila u formua në lidhje me prokurimet publike të realizuara për ndërtimin e spitaleve modulare në gjithë shtetin, është në fazë para-hetimore dhe, pas një ankese nga një nismë qytetare, aktualisht është në shqyrtim në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut“, deklaruan në gusht 2025 për Portalb.mk nga Prokuroria Publike.
Kujtojmë që në maj 2024 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast i cili nuk ishte për shkaqet e zjarrit, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.
Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht.
Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë.

