Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koalicionin shqiptar VLEN për fitoren në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ku kjo forcë politike ka arritur të fitojë në dhjetë komuna, përfshirë edhe Çairin dhe Tetovën.
Në një reagim publik, Kurti ka përgëzuar Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, të cilët, sipas tij, kanë triumfuar me meritë “me projekte konkrete dhe punë të ndershme”. Ai theksoi se qeverisja e VLEN-it gjatë 15 muajve të fundit është karakterizuar nga “duar të pastra, pa korrupsion e skandale”, duke krijuar, siç tha ai, një dallim etik me qeverisjet e mëparshme.
Sipas Kurtit, ky sukses është “konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it dhe shenjë e vullnetit për ndryshim te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”. Ai shtoi se zhvillimet e fundit kanë forcuar edhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nga takimet e përbashkëta qeveritare deri te menaxhimi i kufirit.
“Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoninë e Veriut si dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, ka deklaruar Kurti.(Televizioni News)

