Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho e ftuar këtë të enjte në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj ka folur mbi raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
Xhixho tha se në raport është e qartë që në Shqipëri nuk ka patur zgjedhje të lria dhe të ndershme.
Sipas saj në raport janë reflektuar shumë prej shqetësimeve të ngritura nga opozita.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si e lexove raportin?
Xhixho: Është një raport në të njëjtën linjë me atë paraprak, adreson shumë nga shqetësimet e opozitës. Boshti është që nuk ka zgjedhje të barabarta, kishim zgjedhje ku partia dhe shteti u njëjtësuan, përdorim i financave publike, administratës, përdorim i gjobave dhe bonusit. Edhe ne i kemi adresuar, pasi vetë fryma e kodit nuk lejon që katër muaj para zgjedhjeve të miratohen bonuset, gjobat. Çfarë bëri PS? I miratoi në dhjetor 2024 dhe i implementoi një javë para zgjedhjeve.
Borakaj: Jeni të kënaqur me këtë raport?
Xhixho: Unë mendoj që adreson një sërë shqetësimesh të opozitës. Një nga momentet është që zgjedhjet ishin në shkelje të Kartës së Kopenhagenit. Pra, një vend nuk përmbush standardet minimale të zgjedhjeve që duhet të jenë të ndershme, të ketë garë, s’duhet përdorim i administratës. Është një raport aktakuzë ndaj qeverisë, çka faktizon gjithë shkeljet që ne kemi thënë. Që në momentin që loja nuk është e barabartë, absolutisht edhe këto zgjedhje do të ishin jo të lira. Këto zgjedhje vinin në një moment të mirë të Shqipërisë dhe minimalisht duhet të kishim bërë zgjedhje si në Kosovë.

