Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka sugjeruar se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është copëzimi i Donbasit, një rajon që është aktualisht i pushtuar nga Rusia në pjesën më të madhe të tij.
Deklaratën Trump e bëri duke folur për gazetarët nga bordi i avionit Air Force One.
“Le të copëtohet ashtu siç është. Është i ndarë tashmë. Le ta lëmë ashtu siç është. Ata mund të negociojnë diçka më vonë por tani për tani, të dyja palët në konflikt duhet të ndalen në vijën e betejës, të shkojnë në shtëpi, të ndalojnë së luftuari, dhe të ndalojnë së vrari njerëz”, tha Trump.
Komentet e Trump vijnë pas një takimi të tensionuar me presidentin ukrainas në Shtëpinë e Bardhë të premten dhe duket si një kthesë e papritur nga qëndrimi i tij i fundit për luftën ku tha se Ukraina mund të rimerrte sërish territoret e saj.
Zelensky kishte fluturuar për në Uashington duke shpresuar të përfitonte nga zhgënjimi në rritje i Trump me Vladimir Putinin, pasi samiti i Presidentit amerikan në Alaska dështoi të prodhonte një përparim në luftë.
Por udhëheqësi ukrainas u largua duarbosh, duke dështuar të siguronte raketat e shumëkërkuara Tomahawk me rreze të gjatë veprimi edhe pas javësh lobimi.
Qëndrimi i Trump duket se u ndryshua pas një telefonate që ai zhvilloi me homologun rus Putin të enjten ku folën për një tjetër takim kokë më kokë.
Takimi pritet të mbahet gjatë kësaj jave në Hungari megjithatë detajet janë ende duke u diskutuar./vizionplus.tv

